Ballina Aktualitet Lezhë, rënia e gurëve, rrezik kalimi në Rubik

Lezhë, rënia e gurëve, rrezik kalimi në Rubik

Dhjetra qytetarë të cilët kalojnë në aksin rrugor Lezhë-Rubik në afërsi të fshatit Pllanë, po u rrezikohet jeta. Shkak për këtë janë bërë rrëshqitjet e vazhdueshme e gurëve, të cilat bien në çdo orë të ditës. Rrëshqitja e gurëve rrezikon edhe disa banesa. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga ana e banorëve, deri më tani nuk është marrë asnjë masë për sistemimin e kësaj zone.

Kalimi në rrugën nacionale Lezhë-Rubik pranë fshatit Pllanë, është mjaft i frikshëm. Gurë të përmasave të mëdha kanë rënë nga shpati i malit në rrugë, duke bllokuar njërin kah të lëvizjes. Ndërsa të tjerë, rrezikojnë të bien.

Fenomeni i rrëshqitjes së gurëve rrezikon dhe shumë banesa që ndodhen pranë rrugës kryesore, ndaj dhe apelohet për ndërhyrje. E kontaktuar për këtë çështje, Bashkia Lezhë bën me dije se kjo rrugë është në vartësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe si e tillë ky dikaster tashmë duhet të kishte marrë masa për largimin e gurëve nga rruga, por edhe për të frenuar fenomenin.