Lëvizte me “Jaguar” luksoz pa leje drejtimi, 28 vjeçari ndalohet nga policia, godet Shefin e Qarkullimit Rrugor

78

Një 28 vjeçar me origjinë nga Kukësi është arrestuar ditën e sotme nga policia pasi përveçse drejtonte pa leje drejtimi një automjet luksoz tip “Jaguar” ka goditur edhe shefin e qarkullimit rrugor.

I riu është ndaluar nga policia pasi leja e drejtimit i ishte pezulluar deri në janar të vitit 2021.

Njoftimi i policisë: Drejtonte mjetin pa leje drejtimi, pasi i ishte pezulluar, dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë, vihet në pranga 28-vjeçari. Specialistët e Policisë Rrugore në DVP Kukës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit I. L., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi, në qytetin e Kukësit, duke drejtuar automjetin tip “Jaguar”, është ndaluar nga Policia Rrugore dhe gjatë verifikimit të dokumentacionit ka rezultuar se shtetasit I.L. i ishte pezulluar leja e drejtimit deri në janar 2021 dhe ai vazhdonte ta drejtonte mjetin pa leje drejtimi.

Shtetasi I. L., gjatë shoqërimit në Komisariat, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë Rrugore. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.