Ballina Lajmi i Fundit Letoni: Humb jetën, efektivja e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Letoni: Humb jetën, efektivja e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Efektivja e Forcave të Armatosura të Shqipërisë Zarife Hasanaj ka humbur jetën në Letoni, ndërsa komandanti i kontigjentit, Major Klodian Tanushi, dhe rreshter Julian Kapaj kanë mbetur të plagosur. Shkak për këtë ngjarje të rëndë dyshohet se është bërë shpërthimi i një mine.

Efektivët e forcave të armatosura kanë qenë pjesë e misionit të NATO-s për demontimin e armëve dhe minave në Letoni.

Shefi i Shtabit të FA-ve Bardhyl Kollçaku në një deklaratë për mediat dha dhe emrat e efektives që humbi jetën dhe dy të plagosurve.

“Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave ushtarake. Zarife Hasanaj ka mbetur e plagosur, dhe më pas ka humbur jetën si pasojë e plagave të marra, i plagosur Klodian Palushi, rreshter Julian Kapaj”, u shpreh Kollçaku, ndërsa shtoi se të plagosurit po marrin ndihmë të specializuar mjekësore.

Deklarata e plotë:

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATOs “Enhanced Forëard Presence”.

Një grup i kontigjentit të asgjesimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, sot në ora 9.10 (ora 10.10 me orën lokale) janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake,  në bazën e NATO-s ku  ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve.

Nga ky shpërthim është plagosur dhe më pas ka humbur jetën Nëntetare Zarife Muharrem HASANAJ. Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla TANUSHI dhe Rreshter Julian Xhevat KAPAJ.

Sipas informaciomeve të deritanishme Major TANUSHI dhe Rreshter KAPAJ janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën Camp Adazi, në Letoni.

Për ngjarjen e sotme jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet më të larta letoneze dhe të aleatëve tanë në mision.

Në emër të Forcave të Armatosura i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së Nëntetares HASANAJ që humbi jetën në krye të detyrës dhe urojmë shërim të shpejtë për Major Klodian TANUSHI dhe Rreshter Julian KAPAJ.

Njëherësh, në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura siguroj të gjithë familjarët e efektivëve tanë në Letoni se po ndjekim me vëmendjen maksimale ngjarjen që ka ndodhur. Në këtë moment të vështirë jemi pranë cdo efektivi të Forcës së Armatosur në Letoni dhe kudo ku Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e misionit.