Ballina Politikë Kryebashkiaku Dako: Padi për shpifje Vokshit

Kryebashkiaku Dako: Padi për shpifje Vokshit

Kryebashkiaku i qytetit të Durrësit Vangjush Dako deklaroi sot se do të ngrejë padi për shpifje ndaj deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi, e cila pas një deklaratë për mediat akuzoi në emër të PD-së Dakon për lidhjet e tij me bandat.

Deklarata e kreut të Bashkisë erdhi përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, ku sipas tij deputetja Vokshi gënjen.

“Me shumë kënaqësi do të ngre padinë për shpifje edhe për zonjën Vokshi, të cilën kam pasur rastin ta ndjek nga afër në fushatat e saj të ulëta si deputete e Durrësit jo shumë kohë më parë! Një zonjë e papërmbajtur në fjalor, në gënjeshtra dhe në injorancën e saj ekstremiste. Një politikane që e bën të bardhën të zezë dhe anasjelltas dhe që as nuk skuqet as nuk zverdhet, kur gënjen elektoratin. Aq gënjeshtare është kjo politikane sa që akoma sot nuk mbarojnë barcaletat për të në katundet ku kujtoi se gjeti budallenj për t’ju marrë votën! Mori atë që meritonte dhe sot vazhdon po njësoj, tamam njeriu që krijoi Saliu. Në gjykatë e panderuara zonja Vokshi, aty silli provat e fajësisë time ose pastaj dihet, lekët për Fondin e Edukimit,” – shkruan Dako në postimin e tij.