Ballina Shëndetësi Kuzhinë, si të gatuajmë lazanja bolonjeze

Kuzhinë, si të gatuajmë lazanja bolonjeze

Lazanja në parim nuk është gjë tjetër përveç se pasta të sheshta me mish dhe djath. Si e tillë çdo pasta gjëja me e rëndësishme është salca. Në këtë spektër do të punojmë në dy drejtime

Na duhen këto produkte:

  • 500 gram mish të grirë
  • Mozzarela për të gatuar
  • 100 gram parmesan të grirë
  • 1 qepë, 6 thelpinj hudhra, 1 karrotë
  • Pastë domateje
  • Pasta për lazanja
  • Kripë, piper, paprika, spec djegës
  • Majdanoz i prerë hollë.

Përgatitja:

Nxehni furrën në 180 gradë. Në një tigan ose tenxhere të madhe hidhni vaj vegjetal dhe lëreni të nxehet. Arsyeja që po përdorim vaj vegjetal është se mishi do arrijë temperaturë të lartë. Këtu shtoni mishin e grirë. Çelësi i suksesit në këtë pikë është skuqja e mishit siç duhet. Është e nevojshme që të marri ngjyrë, kështu që mos e prekni duke e lëvizur pa pushim. Por trazojeni herë pas here ama mos e lini të digjet!

Gjatë kohës që bëhet mishi duhet të bëjmë edhe perimet. Një lazanjë pa perime është si pa shtyllë kurrizore! Baza e çdo bolonjezeje është hudhra, qepë dhe karrota.
Merrni disa hudhra. Për gjysmë kile mish unë bëra nja 5 a 6 thelpinj hudhra. Pritini të vogla, dhe hidhini pak kripë sipër. Pastaj shtypini me thikë që të formoni një si lloj paste. Merrni një qepë mesatare dhe priteni ne kubike të vegjël fare. Merrni dhe një karrotë normale dhe grijeni në rende.

Ideja është që sa më të vogla të jenë përbërësit, aq me e njëtrajtshme është salca. Këto filloni skuqini në një tenxhere tjetër të vogël me vaj ulliri. Lërini të karamelizohen, shtoni një lugë pastë domatesh dhe pastaj kripë, piper, paprika, pak spec djegës. Karamelizojini dhe kur janë gatuar mirë fare shtojini tek mishi. Në këtë pike duhet shtuar ujë, një nga ato galina blanka me viç dhe gjithë salca duhet gatuar mirë. Lëreni të gatuhet tani. Duhet që të avullojë mirë.

Pastaj shtoni një gotë të vogël qumësht. Lëreni të avullojë dhe kjo. Shtoni prapë një gotë tjetër qumësht. Avullojeni dhe atë. Në këtë pikë duhet të keni një masë të njëtrajtshme. Hiqeni nga zjarri. Hidhni një nga një 3 të verdha vezësh. Hidhni një, trazojeni. Hidhni tjetër, trazojeni e kështu me rradhë.

Tani në këtë pikë duhet të vendosni katet e lazanjës. Në këtë pikë duhet ti bëni gati sipas llojit që keni. Ato që morra unë, duhej të futeshin në ujë të nxehtë për disa minuta. Ka ca të tjera që skanë nevojë hiç. Siç thashë, sipas rastit.

Shtroni një kat salcë, një kat pasta, një kat mozzarella, pak majdanoz të prerë. Këtë përsëriteni dhe mbylleni me një kat salcë, shtoni pak piper, shtoni pak parmesan të grirë dhe futeni në furrë për rreth 30 minuta në 180 gradë.

Sapo të jetë gati do ta kuptoni me koren që është formuar sipër. Mos e prisni, mos e prekni. Lëreni të ftohet! Nëse e prekni do ju bëhet si llaç dhe kjo nuk është mirë.
Shtoni sipër pak majdanoz.