Ballina Uncategorized Kuzhina: Tavë me patate, kunguj dhe salcë beshamel

Kuzhina: Tavë me patate, kunguj dhe salcë beshamel

Një tavë super e shëndetshme, e thjeshtë dhe e shijshme që mund ta provoni në çdo kohë. Mjaftojnë pak përbërës dhe të gjithë do t’ju falenderojnë.

Përbërësit per 4-6 persona

4 patate mesatare të ziera dhe të prera në feta shumë të holla

3 kunguj mesatarë

2 copa djathë Mozzarella (250g të dyja)

100g kaçkavall i grirë

150g mortadelë e prerë në feta të holla

pak miell për të lyer kungujt

kripë dhe vaj ulliri

Salca beshamel

400ml ujë

1 lugë vaj ulliri

40g miell

kripë dhe arrë moskat e bluar

Përgatitja

Në fillim përgatisim salcën beshamel të lehtë (pa gjalpë e pa qumësht). Me rrahësin e vezëve me dorë përziejmë të gjithë përbërësit e beshamelit derisa masa të bëhet homogjene. E hedhim në një tenxhere, shtojmë vajin dhe e lëmë të vlojë duke e përzier vazhdimisht. Kur masa të trashet, fikim zjarrin, e mbulojmë me plastmasë kuzhine duke mos lënë hapësirë dhe e lëmë të ftohet. Ndezim furrën në temperature 180°C. Kungujt i presim në feta shumë të holla për së gjati me qëruesen e patateve, i fusim në një qese plastmase, hedhim aty miellin, e mbyllim qesen me dorë dhe e tundim që kungujt të lyhen me miell në mënyrë të njëtrajtshme. Lyejmë tavën me pak vaj, shtrojmë një shtresë beshamel, e mbulojmë me feta kungujsh, vazhdojmë me një shtresë patatesh, feta mortadele, Mozzarella të prera hollë, djathë të grirë. Vazhdojmë kështu derisa të mbarojmë me të gjithë përbërësit. E përfundojmë me një shtresë beshamel dhe djathë të grirë. E pjekim afërisht për 30 minuta ose derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë.