Ballina LAJME Kuvend, opozita: U shkel rregullorja për ligjin e tatimit mbi të ardhurat

Kuvend, opozita: U shkel rregullorja për ligjin e tatimit mbi të ardhurat

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i janë drejtuar me një shkresë Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar anulimin e vendimit të Kuvendit, që rrëzoi dekretin e presidentit, “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Në letër opozita thekson se është shkelur rregullorja e Kuvendit duke rrëzuar dekretin pa kaluar 12 orë.

“Duke vepruar në këtë mënyrë, Kuvendi i Shqiperisë, duke shkelur Rregulloren, ka minuar bashkëjetësën normale të të gjitha grupimeve politike në Kuvend. Nëse opozitës i mohohet e drejta e saj kushtetuese për t’u njohur me cështjet që shqyrtohen e miratohen në Kuvend, sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara nga Rregullorja e Kuvendit, atëherë ky veprim antikushtetues tenton të asgjësojë defacto rolin e opozitës në Parlament, që është jetik për funksionimin demokratik të shtetit shqiptar”- thuhet në letër.

Më tej, krerët e grupeve parlamentare kërkojnë nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin që:

Të konstatojë shkeljen e Rregullores së Kuvendit; të kërkojë nga Kryetari i Kuvendit anulimin e vendimit të Kuvendit të datës 20 dhjetor 2018

Të kërkojë nga kryetari i Kuvendit shqyrtimin e miratimin e dekretit të Presidentit të Republikës “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për disa ndryshime dhe shtetas në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar, sipas procedurave ligjore të paracaktuara nga Rregullorja e Kuvendit.