Ballina Ekonomi / Biznes Kuvend, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave i kërkon bankave uljen e komisioneve...

Kuvend, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave i kërkon bankave uljen e komisioneve të shërbimit

Nivelet e larta të komisioneve për shërbimet që ofrojnë bankat e nivelit të dytë janë kthyer në një shqetësim për deputetët. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave i ka kërkuar ministres së financave dhe ekonomisë Anila Denaj dhe Bankës së Shqipërisë marrjen e masave për t’i ulur komisionet.

Gjatë mbledhjes së fundit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, deputetët diskutuan dhe miratuan një numër ndryshimesh ligjore për të luftuar informalitetin. Tani, të gjitha bizneset duhet të kenë llogari bankare dhe veprimet duket t’i kryejnë përmes llogarisë së tyre bankare.

Por, duke pasur parasysh këtë zhvillim të ri që detyron të gjitha bizneset të kenë marrëdhënie me bankat, ulja nivelit të komisioneve për shërbimet që bankat ofrojnë bëhet e nevojshme. Njëkohësisht, ulja e nivelit të komisioneve pritet të nxisë marrjen e kredive nga ana e biznesit. Duke iu drejtuar ministres së financave dhe ekonomisë, deputeti Arben Ahmetaj, kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, tha: “Duhet të uleni me guvernatorin, të detyroni sistemin bankar me instrumente ligjore që kemi.”