Ballina LAJME Kuvend, bojkoti i opozitës, deputetëve u pritet rroga

Kuvend, bojkoti i opozitës, deputetëve u pritet rroga

Bojkoti i punimeve të Kuvendit ka sjellë penalitete në pagë për një numër deputetësh, kryesisht të opozitës, të cilët nuk kanë marrë pjesë në seanca që prej fillimit të këtij sesioni parlamentar.

Opozita që prej publikimit të audios që implikonte vëllain e ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj në trafiqe të paligjshme nuk ka bërë më një jetë parlamentare të rregullt. Në shenjë proteste për gjendjen e krimit dhe në disa raste për votimin e ligjeve të ndryshme, ajo ka braktisur shpeshherë parlamentin deri në bojkotimin e tij të plotë. Por, pavarësisht se bëhet fjalë për vendime politike, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka vendosur që të zbatojë rigorozisht rregulloren dhe ligjin edhe sa i përket pagesës së deputetëve opozitarë. Kështu të gjithë deputetët e opozitës po përballen në këto kohë me mbajtjen e pagës për sa kohë që nuk frekuentojnë jetën parlamentare.