Ballina Aktualitet Kuvend, betohen dy opozitarët e rinj, në sallë bëhen 98 deputetë

Kuvend, betohen dy opozitarët e rinj, në sallë bëhen 98 deputetë

Janë betuar sot në Kuvend edhe dy deputetë të rinj nga radhët e forcave politike të opozitës. Në nisje të seancës plenare, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, lexoi rregulloren, ndërsa më pas u betuan deputetët Adriatik Alimadhi dhe Arben Elezi.

Adriatik Alimadhi, kreu i Ballit Kombëtar, ishte në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Qarkun e Vlorës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Alimadhi mori mandatin e dorëzuar nga Agron Shehaj, i cili iu bashkua vendimit të opozitës për djegien e mandateve. Ndërkohë, Arben Elezi i cili ishte në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit dhe mori mandatin e djegur të Edmond Spahos.

Ambra Borova, kandidate në listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk ishte sot prezent në seancë plenare dhe pritet të betohet në seancën e ardhshme.

Deri tani, deputetët e rinj nga radhët e LSI, të cilët nuk iu bindën vendimit për bojkot janë Ylli Shehu, Enver Rroshi, Aurora Mara, Edmond Rrushi, Elda Hoti, Edlira Hyseni, Ediola Braha, Ralf Gjoni, Nimet Musaj, Enada Kapllani dhe Ambra Borova, që pritet të betohet seancën e ardhshme. Sa i përket PD, deputetët e rinj në Kuvend janë Majlinda Halilaj, Alban Zeneli, Ligoraq Karamelo, Lefter Maliqi, Adriatik Alimadhi dhe Arben Elezi.

Kjo listë nuk përfshin deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan dorëzimin e mandateve, si Myslim Murrizi i PD, Lefter Koka i LSI etj.

Në total, tani Kuvendi ka 98 deputetë.