Ballina KULTURË Kush është qyteti shqiptar që shpenzon më shumë në restorant?

Kush është qyteti shqiptar që shpenzon më shumë në restorant?

Thuhet se, ushqimi është një ndër kënaqësitë më të mëdha të jetës dhe se të paktë janë ata që e shijojnë vërtetë. Restorantet janë një biznes që aktivitetin e tyre e bazojnë te ushqimi dhe shërbimi.

Shkodra mban rekordin për shpenzimet në restorante dhe hotele, ku sipas të dhënave në Anketën në Buxhetit të Familjeve 2017, shpenzimet për restorantet dhe hotele ishin sa 9.5% e totalit të të gjitha shpenzimeve. Mes tundimit nga krapi i liqenit, lokalet buzë lumit, apo alternativat e detit (Velipojës) e zonave malore aty rrotull, shpenzimet për restorante në Shkodër janë edhe më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, ku sipas të dhënave të Eurostat zinin rreth 8% në totalin e shpenzimeve të familjeve.

Pas shkodranëve, shpenzimet më të larta në raport me totalin i kanë beratasit. Qarku i Beratit shpenzoi mesatarisht në 2017-n 6.3% për restorante dhe hotele, duke u pasuar nga Fieri (6%), Lezha (5.8%) dhe Tirana me 5.5%.

Korça, gjithashtu, i ka shpenzimet për restorante më të larta se mesatarja kombëtare me rreth 5.4% të totalit.

Në qarkun e Dibrës, shpenzimet për restorante dhe hotele në 2017-n ishin 4.2%.

Durrësi dhe Vlora janë të njohur, për vetë pozicionimin e tyre buzë detit, për restorantet e mira të peshkut, mirëpo vetë vlonjatët dhe durrsakët nuk i shijojnë. Sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Familjeve, familjet në Vlorë, shpenzuan në restorante vetëm 2.9% të totalit, thuajse sa gjysma e mesatares kombëtare, ndërsa në Durrës vetëm 2%, më pak se gjysma e mesatares kombëtare.

Edhe Gjirokastra është e njohur për një kuzhinë me receta të larmishme, mirëpo gjirokastritët preferojnë që ushqimin ta shijojnë në shtëpi.

Edhe Elbasani ka përqindje të ulët të shpenzimeve për restorante me rreth 2.6%

Shpenzimet më të ulëta i ka qarku Kukës, me vetëm 1.1% të totalit të shpenzimeve për restorante dhe hotele.