Ballina Sociale Kur duhet t’i blejmë telefona fëmijëve?

Kur duhet t’i blejmë telefona fëmijëve?

Kur bie fjala tek pajisjet teknologjike ose elektronike, prindërit kanë shumë pikëpyetje. Kur mund t’ia blej fëmijës telefonin? Dhe nëse i’a blej, a të vendos rregulla që në fillim? Prindërit ndihen nën presion dhe shpesh kërkojnë këshilla, por ne kemi për detyrë vetëm t’i orientojmë.

Nëse fëmija ka telefon, prindërit janë më të sigurt, pasi e dinë vendndodhjen e tij. Kjo është pjesërisht arsyeja pse prindërit u blejnë fëmijëve aparate celulare. Mirëpo, pasja e telefonit mund të shoqërohet me rreziqe. Fëmijët që përdorin telefona dhe dërgojnë mesazhe, mund të kenë probleme me gjumin. Ata hyjnë në internet dhe shohin materiale të pakontrolluara. Sa gati janë për këtë?

Ne këshillojmë që prindërit të shohin aspektet zhvillimore, duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve: A i humbet fëmija sendet personale? A është fëmija i përgjegjshëm? A mund t’i besoj fëmijës? A do ta kuptojë sesi ta përdorë telefonin në mënyrë të sigurt?

Po ashtu, duhet të bëjmë dallimin mes “dëshirës” dhe “nevojës” së fëmijës për telefon. Nëse ia marrim telefonin, ne duhet ta kontrollojmë fëmijën për mënyrën sesi po e përdor atë. Është e natyrshme që fëmija do ta quajë telefonin “mjet personal”, por prindërit duhet ta bindin atë se “ky mjet personal mund të keqpërdoret” duke argumentuar se ata do të kontrollojnë që ta përdorin në mënyrë të përgjegjshme.