Ballina Aktualitet “Kur bota është kjo që është, s’është aq keq të rrish në...

“Kur bota është kjo që është, s’është aq keq të rrish në burg”, ja çfarë shkruante nga qelia në Itali Gerd Gjenerali

“Kur jashtë, bota tashmë është kjo që është, nuk është edhe aq keq të rrish në burg. Në fund të fundit, këtu nuk të trajtojnë keq. Kemi thuajse gjithçka. Mungojnë vetëm dy gjera: Liria dhe dashuria”, kështu shkruante Gerd Gjenerali në një prej letrave të tij, që gazetarët italianë i postonin rregullisht në blogun e quajtur “Britmat nga heshtja”.

Pikërisht në ditën e të dashuruarve, edhe pse ai shprehej se dashuria i mungon, Gjykata e Korçës i dha lirinë.

Teksa vuante dënimin në Itali, para se të ekstradohej Gerd Gjenerali u kthye në një personazh të njohur atje. Gazetarët italianë shkruanin se ekstradimi në Shqipëri ka qenë dëshira e tij më e madhe.

Ndërsa botonin vazhdimisht letrat e tij. “Brenda përgjithmonë. Kush ka qenë i keq një herë, duhet të jetë i keq përgjithmonë. Ku do të shkojmë nëse kriminelët do të përfundojnë duke kuptuar gabimet e tyre?”, shkruan në një prej letrave të tij Gjenerali.

Ndërsa me tej, shprehej: “Kush jam unë, një faqezi i varfër, që të hedh dyshime mbi gjykimin e gjyqtarëve italianë. Është një gjykim aq i vlefshëm sa për të qenë një shembull për të gjithë të tjerët. Për drejtësinë italiane unë jam fajtor.

Unë si zakonisht luftoj për jetën time, por kësaj here, në frontin e luftës, kisha përballë makinën e drejtësisë së një vendi demokratik. Nuk isha më në duart e katër komunistëve pa peshë, që besonin në fjalimet e Leninit”.