“Kupa është mbushur”, studentët paralajmërojnë protesta:”Do të shkojmë te kryeministri”

51

Lëvizja për Universitetin, një lëvizje që përpiqet të mbrojë interesat e studentëve ka parlajmëruar organizimin e një proteste ditën e nesërme në orën 11:00.

Kjo lëvizje kërkon nga Edi Rama përgjysmim të tarifës vjetore të studimit, dhe një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës.

Ndërkohë të tjerë kanë njoftuar se do të mbajnë protestë kombëtare para Ministrisë së Shëndetësisë për të kundërshtuar zhvillimin e mësimit online.

Reagimi i plotë:

Që prej karantinës së muajit mars studentët kanë qenë një nga shtresat më të dëmtuara të shoqërisë. Po qeveria nuk ka menduar asnjë çast për ta. Mijëra studentë e patën të pamundur ta ndiqnin normalisht procesin mësimor online si pasojë e mungesës së mjeteve teknike dhe aksesit në internet. Mijëra të tjerë mbetën të papunë. Shumë mbetën të pastrehë në pamundësi për të punuar dhe paguar qiratë.

Nëntë muaj më vonë, e njëjta situatë rrezikon të përsëritet. Mësimi online vazhdon të jetë i pamundur për shumicën e studentëve, qiratë janë rritur, kostot e jetesës po ashtu, karta studentore nuk funksionon, abone nuk ka, shërbime sociale e shkollore jo e jo. Ndërkohë qeveria në vend që të lehtësojë barrën e studentëve, i mban të larta tarifat e studimit dhe jep urdhër që konviktet të boshatisen nga studentët.

Prandaj ne kemi ardhur këtu, përpara kryeministrisë, për të kërkuar:

  • Përgjysmim të tarifës vjetore të studimit, dhe
  • Një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës.

Në të kundërt, në kushtet e keqshkollimit dhe papunësisë, mungesës së strehimit dhe parave, do të vijmë me mijëra studentë të tjerë, bashkë me valixhe, rroba, këpucë, libra dhe tenxhere në kryeministri.

Nëse kryeministria vazhdon të mbetet shtëpi e oligarkëve në kohë krize, ne do ta kthejmë në vatër të studentëve, punëtorëve, pensionistëve dhe qytetarëve të prekur nga pandemia.

Kupa është mbushur dhe nuk mban më. #PërUniversitetin  #PërShoqërinë