Kufizimet për shkak të COVID-19, ndryshon orari i shtetrrethimit

87

Pak ditë pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi lehtësim të orareve kufizuese në vend, në kuadrin e nisjes së Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, sot u mblodh sërish Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Kjo mbledhje vjen ndërsa ky komitet kishte deklaruar javën që po mbyllet se masat kufizuese nuk do të ndryshonin për dy javët e ardhshme.

Megjithatë, Komiteti dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftuan para pak çastesh se zgjatet orari i lejuar nga ora 06 e mëngjesit deri në orën 22.00.

“Në vlerësim të situatës dhe indikatorëve dhe ecurisë së planit të vaksinimit masiv sot ka vendosur të ndërmarrë disa masa të reja. Komiteti Ka vendosur të zgjasë orën e qarkullimit nga ora 22:00 e mbrëmjes duke filluar nga dita e nesërme. Zgjatet dhe orari i hapjes së bareve dhe restoranteve. Të gjitha masat e tjera do të qëndrojnë siç janë”, deklaroi ministrja Manastirliu.

Gjithashtu janë hequr kufizimet për udhëtimet nga dhe për në Mbretërinë e Bashkuar.

Këto masa hyjnë në fuqi nesër e hënë 12 prill 2021 dhe janë të vlefshme për dy javë, raporton noa.al.

E PLOTË

Vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Manastirliu: Shtyhet me dy orë qarkullimi i lëvizjes dhe orari i bareve dhe restoranteve, hapen fluturimet me Britaninë e Madhe

11 Prill, Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve, kanë bërë të ditur vendimet e fundit, të lehtësimit të disa masave në vend. Nisur nga situata epidemiologjike dhe ecuria e procesit të vaksinimit antiCOVID, Manastirliu deklaroi masat e reja që fillojnë nga dita e hënë, datë 12 Prill. “Në vlerësim të situatës së 6 javëve të fundit, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur zgjatjen e orës së qarkullimit të qytetarëve deri në orën 22:00 të mbrëmjes, duke filluar nga dita e nesërme, datë 12 Prill. Po kështu, aktivitetin e bareve dhe restoranteve do të jenë të hapura deri në orën 22:00. Do të vijojë të mbeten në fuqi të gjitha masat e orës police nga ora 22:00- 06:00 të mengjesit. Gjithashtu duke marrë në konsideratë përmirësimin e ndjeshëm të situatës së epidemisë në Mbretërinë e Bashkuar, një shtet i cili ka pasur një ecuri shembullore sa i përket vaksinimit, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka propozuar rihapjen e fluturimeve me këtë shtet”, deklaroi Manastirliu. Duke bërë me dije se lehtësimet po vijnë si rezultat i situatës po edhe të muajit të shenjtë të Ramazanit, Manastirliu u ka bërë apel qytetarëve të vijojnë zbatimin e masave antiCOVID. “Situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, me tendencë në rënie të incidencës dhe kjo është vënë re nga java e tretë e Marsit dhe në vijim. Rënie është vënë re edhe sa i takon përqindjes së pozitivitetit të rasteve të reja, ku gjatë javëve të fundit ka rënë deri në 12%. Rënia shënohet edhe në shtrimet në spitale. Prej 4 ditësh nuk ka pacientë në Spitalin COVID 4, i cili do vijojë të jetë në gatishmëri, por që pa dyshim është një tregues pozitiv i situatës në spitale. Aktualisht niveli i shfrytëzimit të shtratit është nën 30%, ndërsa terapia intensive nën 13%. Më duhet të shtoj se kemi patur një tjetër arsye që na ka motivuar në vendimin tonë. Lehtësimi i argjerimit për besimtarët myslimanë, në muajin e shenjtë të Ramazanit, që nis në datën 13 Prill. Duke uruar një muaj sa më të lehtë dhe të mbarë, dëshiroj të përsëris thirrjen time që të mbajmë parasysh dhe mos neglizhojmë asnjë moment masat anticovid: distancimi, maskën, higjenën”, tha Manastirliu. Duke folur për procesin e vaksinimit l, Manastirliu tha se sot ka vijuar vaksinimi i moshave mbi 65 vjeç dhe ditë e hënë vijon mbi 60 vjeç, duke u regjistruar pranë mjekut të familjes. Që prej fillimit të vaksinimit antiCOVID janë kryer në total 256,848 vaksinime. Vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve do të jenë në fuqi për dy javët e ardhshme.