Ballina Aktualitet Kryebashkiaku Veliaj: Tirana kandidate për “Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2024”

Kryebashkiaku Veliaj: Tirana kandidate për “Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2024”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, mori pjesë në konferencën e parë të kryeqyeteve evropiane të kulturës, e cila po zhvillohet në Firence të Italisë.

Gjatë konferencës kryebashkiaku shprehu synimin e tij për hedhjen e kandidaturës së Tiranës, si kryeqyteti Evropian i kulturës në vitin 2024.

“Shqipëria ka aplikuar për të qenë kandidate në vitin 2024, ndaj e kemi shfrytëzuar këtë mundësi të shkëlqyer të gjithë kryeqyteteve evropiane të kulturës në të kaluarën, për të lobuar për kandidaturën tonë. Falë kontributit të mikut tonë, Dario Nardella, kryetar i Bashkisë së Firences, qytetit tonë binjak, besoj se Shqipëria ka shanse shumë të mira, duke qenë se do të ketë edhe mbështetjen e këtyre qyteteve në përgatitjen e kandidaturës së saj për vitin 2024,”- deklaroi Veliaj.

Ai gjithashtu nuk la pa theksuar edhe faktin se është shtuar buxheti për artin dhe kulturën, si nga qeveria qendrore, ashtu edhe nga vetë bashkia.