Ballina Aktualitet Krujë, kryedemokrati Basha: Koha të ngrihemi si 500 vjet më parë

Krujë, kryedemokrati Basha: Koha të ngrihemi si 500 vjet më parë

Kryedemokrati Lulzim Basha, ka qenë sot në Krujë për të ftuar qytetarët të vijnë në 16 shkurt në Tiranë në protestën e opozitës së bashkuar kundër qeverisë “Rama”.
Ai tha se pa një gjendje të vështirë në Krujë dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama, për rritje taksash dhe madje vjedhje. Nga Kruja e qëndresës kundër Perandorisë Osmane, Basha tha se ka ardhur koha që të çohemi kundër qeverisë.

“Bashkëbisedova me disa qytetarë dhe pronarë dyqanesh këtu në Krujë. Gjendja shumë e rëndë. Nuk pashë një turist të trokasë në dyqanet e tyre. Ka vende me klimë shumë më të keqe se Shqipëria ku turizmi nuk pushon.

Jo vetëm që nuk ka turistë por 1/3 e popullsisë së Krujës është larguar. Kjo është rezultat i një klime tjetër që nuk ka të bëjë me Zotin apo me motin por ka të bëjë me qeverinë ose bandën që qeveris.

Gjithsecili mund t’i bëjë një pyetje vetes për çfarë na duhet qeveria, shteti. Qëllimi i ekzistencës së tyre është të kujdesen për njerëzit, për fëmijët tuaj, për shkollat, për rrogat, për punësimin, mirëqenien, ku nuk ka punësim për të papunët.

Po a po ndodh kështu me një njeri që ka pushtuar karrigen e kryeministrin me bandën e tij? Që kur ka hipur në atë karrige iu ka marrë shqiptarëve 2 mld euro taksa më shumë. Si i ka marrë, duke rritur çmimin e naftës, të energjisë”, tha Basha.

Ai u shpreh se Kruja hyn në qytetet me numrin më të madh të famljeve me ndihmë ekonomike por se qeveria ka hequr dhjetëra familje nga skema. “E në vend të shtohej ndihma ekonomike, i ka hequr dhjetëra familje. 45% e familjeve shqiptare jetojnë me më pak se 5 mijë lekë të vjetra në ditë. Ku jemi këtu në mes të Afrikës, në Xhungël? Këto para i ka vjedhur Edi Rama me bandën e tij të hajdutëve”, theksoi kreu i PD.
Ai deklaroi se PD do t’i shërbejë qytetarëve që ditën e parë.

“Ditën tonë të parë, nafta dhe benzina do të jenë 300 lekë më para sepse ne do ta heqim taksën ‘Rama’. Ato miliarda që i ndan me oligarkët do i çojmë tek pensionet, do i çojmë tek rrogat. Ne kemi vizionin, ne kemi planin që t’ju shërbejmë që ditën e parë. Institucionet janë kapur nga krimi dhe korrupsioni. Vendi sot nuk ka një parlament dhe një qeveri për qytetarët.

Ky është vendi për të dhënë një mesazh. 500 vjet më parë një vend i vogël i qëndroi fuqisë më të madhe ushtarake në botë. Pse, sepse ishin të bashkuar, sot ka ardhur koha të çohemi sepse ne kemi kauzën e drejtë. Ne do ta kthejmë Shqipërinë në binarët europianë.

Ka ardhur koha të merrni në dorë fatin tuaj. Kjo është thirrja, kjo është ftesa. Asnjë qeveri e asnjë parlament nuk është sovran i këtij vendi. Nuk e thotë vetëm opozita se maxhoranca dhe qeveria jnë produkt i vjedhjes.

Zgjidhja e opozitës është qeveri kalimtare. Ngrihuni në këmbë jepini dorën njeri-tjetrit dhe ejani në Tiranë të marshoni”, tha Basha duke iu bërë thirrje demokratëve, socialistë dhe atyre që nuk janë me asnjë parti të vijnë në 16 shkurt në Tiranë.