Ballina Aktualitet Kroaci-Shqipëri, bashkëpunim në fushën e turizmit

Kroaci-Shqipëri, bashkëpunim në fushën e turizmit

Ambasadori i Shqipërisë në Zagreb, Riza Poda kreu një vizitë në qytetin e Dubrovnikut, ku u takua me kryetarin e bashkisë së këtij qyteti, Mato Frankovic, ku fokusi i vizitës ishte bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e turizmit, trashëgimisë kulturore, historike dhe ekonomisë

Në vijim të rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, krahas punës për rritjen e shkëmbimeve në nivel qendror, Ambasada po punon për shtrirjen e këtij bashkëpunimi dhe në nivel të pushtetit lokal.

Poda në fjalën e tij, i bëri të ditur kryetarit të bashkisë së Dubrovnikut, vullnetin për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet qyteteve shqiptare dhe Dubrovnikut, në fushën e turizmit, trashëgimisë kulturore, historike dhe ekonomisë.

Më tej, Poda i propozoi kryebashkiakut të Dubrovnikut, nënshkrimin e një marrëveshje binjakëzimi ndërmjet Dubrovnikut dhe qyteteve shqiptare duke shprehur bindjen se kjo marrëveshje do të forcojë edhe më tepër marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht në drejtim të shërbimeve bashkiake.