Ballina LAJME Kroaci, përplasen ministrat në Budva, Bushati: Jemi krahë Kosovës

Kroaci, përplasen ministrat në Budva, Bushati: Jemi krahë Kosovës

Punimet e ministerialit të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor nuk kanë qenë dhe aq të qeta. Ka qene ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Paçolli, i cili ka kërkuar një ndryshim të vogël në deklaratën e përbashkët të ministrave të WB6.

Ky propozim nuk është pritur aq mirë nga ministri i Jashtëm i Bosnjë Hercegovinës, Igor Crnadak, dhe përfaqësuesi serb në takim. Burime nga takimi bëjnë me dije se kërkesa e Paçollit për respekt të ndërsjellë për Kosovën është mbështetur nga homologu shqiptar, Ditmir Bushati.

Mësohet se ministri i jashtëm shqiptar ka kërkuar një vendimmarrje duke bërë thirrje për kompromis. Debati ka vijuar dhe më tej, teksa ministri i Jashtëm shqiptar ka këmbëngulur se fakti që drejtuesit politikë kanë rënë dakord mbi gjuhën e përgjithshme të deklaratës, nuk përjashton askënd të fusë ide të reja.

Burime brenda takimit bëjnë të ditur se ministri shqiptar ka qenë mjaft i prerë.
“Nëse për Serbinë e Bosnjën përbën problem futja e respektit të ndërsjellë në zbatimin e marrëveshjes së CEFTA-s, atëherë Shqipëria qëndron në krahë të Kosovës dhe nuk pajtohet me asnjë deklaratë tjetër”, – ka thënë Bushati.

Takimi i Budvës së WB6 i përfundoi punimet duke dalë me një tekst të përbashkët, tekst për të cilin nga pala shqiptare u insistua që të miratohej me konsensus pas kundërshtimit të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës për të pranuar ndryshimet e propozuara nga Kosova.