Ballina Aktualitet Krishtlindjet, urimi i kryepeshkopit Anastas për besimtarët orthodhoksë

Krishtlindjet, urimi i kryepeshkopit Anastas për besimtarët orthodhoksë

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, i është drejtuar me një mesazh urimi gjithë besimtarëve të krishterë orthodhoksë me rastin e Krishtlindjeve. Në mesazhin e tij të urimit, kryepeshkopi Anastas ka uruar Krishtlindje të bekuara, teksa shprehet se “Krishtlindjet vijnë që të ofrojë antidotin e pasigurisë, duke ringjallur mendjen dhe ndërgjegjen.”

“Një pasiguri e përgjithshme, si re pluhuri bërthamor, është përhapur në mbarë shoqërinë e sotme, duke shkaktuar vështirësi shqetësuese në frymëmarrje, – thekson kryepeshkopi Anastas në urimin e tij. – Shumë përpiqen të përballen me të, duke akumuluar pasuri materiale të çdo lloji. Të tjerë kërkojnë miq të fortë, njerëz me pushtet politik dhe ekonomik. Disa gjejnë strehë në ideologji të çuditshme fetare me origjinë aziatike. Njerëzit synojnë të fitojnë siguri me mënyra të shumëllojta.”

Pikërisht për këtë gjë, kryepeshkopi Anastas nënvizon se “e kremtja e Krishtlindjeve vjen të rigjallërojë në mendjen tonë një të vërtëtë që shpesh harrohet se Perëndia është me ne.” “Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri le të jetë përplot me sigurinë e pranisë së Krishtit në jetën tonë të përditshme dhe në ecurinë e botës,” – ka mbyllur kryepeshkopi Anastas urimin e tij drejtuar gjithë besimtarëve orthodhoksë.