Krimi në Elbasan, përveç një viktime dhe dy kalimtarë të plagosur

59

Thellohet bilanci i krimit në Elbasan, ku një ish-polic akuzohet se vrau gruan e tij, ndërsa plagosi edhe dy kalimtarë. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë Gjykatës së Elbasanit.

Autori i dyshuar është Koço Buzo, 58 vjeç, një polic në pension. Viktima është L.Buzo, 54 vjeçe.

Mësohet se çifti ishte në proces divorci, pas mosmarrëveshjeve për motive xhelozie.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, kur Koço Buzo 58 vjeç, sipas policisë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, shtetases L. Buzo, 54 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.

Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, shtetasi G. T., 57 vjeç i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe shtetasi A. K., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë.

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.