Ballina OPINION Kreu i shtetit, në një linjë me rekomandimet e KLSH

Kreu i shtetit, në një linjë me rekomandimet e KLSH

nga Fatos Çoçoli

Pak ditë më parë, në një aktivitet me temë “Marrëdhëniet e Punës dhe Shqyrtimi Gjyqësor”, Presidenti i Republikës sugjeroi me të drejtë që ndryshimet ligjore për largimet abuzive nga puna të mijëra punonjësve në administratën shtetërore të përfshijnë edhe sanksione, që faturën e dëmshpërblimit ta paguajë zyrtari që firmos shkarkimin.

Çuditërisht, kreu i shtetit nuk e përmendi, edhe pse ideja për evidentimin me ligj të përgjegjësisë së zyrtarit publik kur shkakton largime të padrejta nga puna është një përpjekje e kahershme e Kontrollit të Lartë të Shtetit, e shtrirë jo vetëm në planin e largimeve të padrejta nga puna. Për të gjashtin vit radhazi (2013- 2018), KLSH, në çdo raport për zbatimin e buxhetit të konsoliduar të shtetit të vitit të mëparshëm që ka paraqitur përpara Parlamentit, ka rekomanduar hartimin e një ligji që të trajtojë në mënyrë të plotë rastet e përgjegjësive materiale të nëpunësit të shtetit. Ky ligj do të jepte në formë të njëjësuar mënyrat për dokumentimin e dëmeve që nëpunësi publik u shkakton fondeve dhe aseteve publike, mënyrat dhe kriteret e vlerësimit, si dhe masën e dëmshpërblimit material. Ligji do të kishte efekt parandalues të fuqishëm, pasi dëmet në buxhetin e shtetit llogariten nga KLSH-ja në disa miliardë euro në 7 vitet e fundit. Fryma dhe përmbajtja e një ligji të tillë është e përvijuar qartazi në shumë nene të legjislacioneve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe në kontratën e marrjes në punë të nëpunësit shtetëror në këto vende.

Ndërkohë që legjislacioni ynë nuk shprehet në mënyrë të detajuar dhe të qartë për këtë. Këtu, kryetari i shtetit ka shumë të drejtë. KLSH ka konstatuar dhe ka shtatë vjet që po e ngre zërin që në fushën e përgjegjësisë materiale të nëpunësit publik, procedurat për ta realizuar atë në legjislacionin tonë janë tërësisht joekzistente. Kjo ka sjellë mungesën e përgjegjësisë materiale të nëpunësve shtetërorë, largimin e frikës nga zullumet që bëjnë, si dhe arbitraritetin e skajshëm të menaxherëve publikë. Kjo, jo vetëm ndaj pronës shtetërore, por edhe ndaj punëmarrësve, sikurse janë rastet e trajtuara në aktivitetin ndërgjegjësues të tri ditëve më parë. KLSH-, në çdo auditim të vetin ka kontrolluar me imtësi të gjitha rastet e largimeve nga puna, duke vënë theksin në humbjet që pëson buxheti i shtetit nga gjyqet që të larguarit janë të detyruar të bëjnë, ndërkohë që janë dubluar pa të drejtë në detyrë(kanë hapur krahun të vijë militanti apo ai që paguan titullarin dhe sekserët e titullarit). Rastet e zhdëmtimit personal material të pronës publike nga dëmi, qoftë edhe ai i shkaktuar nga pakujdesia apo pazotësia e nëpunësit publik, do të shkurajonin ndjeshëm gjithsecilin që sot e sheh administratën publike si një lopë për t’u mjelë apo çiflig për t’u marrë në dorëzim. Edhe pse nuk zotëron dijet e duhura për të punuar në një pozicion të caktuar të saj apo futet në punë me synimin për të përfituar materialisht në mënyrë abuzive. Deri tani nuk ka asnjë veprim që të përgatitet një ligj i tillë, ndërkohë që do të ndryshonte tërësisht situata sapo ky ligj të miratohej. Mbështetja e Presidentit të Republikës mund të vlente, mund të ishte një dorashkë (sfidë) pozitive e hedhur për veprim, pasi asnjë strukturë tjetër e shtetit nuk ka reaguar pozitivisht për kërkesat dhe rekomandimet e përsëritura të KLSH-së në këtë drejtim.

Një nismë nga kryetari i Kuvendit apo edhe Kryeministri për të promovuar dhe miratuar këtë ligj do të ishte përgjigjja e duhur që e presim të gjithë, ndaj korrupsionit galopant dhe sistematik në administratën tonë publike, të denoncuar në të gjitha raportet e viteve të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Raportet e Progresit të Bashkimit Europian apo ato të “Transparency International”. Kjo pse, kur për pasoje të abuzimit dhe dëmtimit të provuar të pronës shtetërore, nëpunësi vihet përpara përgjegjësisë së dëmshpërblimit material nga sanksionet e këtij ligji, duke paguar tërësisht apo një pjesë të dëmit të shkaktuar, edhe nëpërmjet konfiskimit të pasurisë vetjake, atëherë ndryshon tërësisht puna me administrimin shtetëror. Jo vetëm që shtytja për abuzim dhe korrupsion dëmtohet rëndë, por rritet në raport gjeometrik përgjegjësia e nëpunësve shtetërorë ndaj detyrës që kryejnë. KLSH-ja ka propozuar po ashtu, që objekt i ligjit të jetë caktimi i shpërblimit të dëmit, sipas pjesëmarrjes dhe rolit të nëpunësit në shkaktimin e dëmit. Ligji duhet të sigurojë një proces të qartë e transparent të shpërblimit të dëmit ndaj interesave publike, duke vendosur edhe një balancë mes mundësive reale të punonjësit zhdëmtues dhe duke ruajtur minimumin jetik të tij. Ai do të sanksionojë përgjegjësinë materiale të titullarëve të strukturave shtetërore për vendimmarrjet e gabuara në dëm të interesave publike, qofshin këto individuale apo kolektive.

Ligji përcakton edhe kriteret se kur përgjegjësia materiale shndërrohet në përgjegjësi penale. Edhe pse ndoshta në padije për këtë kontribut të institucionit të auditimit të jashtëm publik te ne, kreu i shtetit është në linjë të plotë me përpjekjet tashmë 6-vjeçare të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të drejtuar nga Bujar Leskaj, për të miratuar një ligj që do të ishte ndër armët më të efektshme në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me detyrën shtetërore. Ky ligj do të përbënte një gur themeli edhe në zbatimin real të Reformës në Drejtësi në vendin tonë, pse do të përcaktonte saktë dhe ligjërisht përgjegjësinë materiale të të korruptuarve të evidentuar nga reforma.