Ballina Aktualitet KPVP, kërkon ndryshime taksash për mineralet e zhavorret bituminoze

KPVP, kërkon ndryshime taksash për mineralet e zhavorret bituminoze

Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese, ka kërkuar ndryshimin e dy taksave të propozuara nga qeveria në kuadër të Paketës Fiskale, që duhet të hyjnë në fuqi në vitin 2019. Taksa e parë ka të bëjë me akcizën e zhavorreve bituminoze, ndërsa e dyta për taksimin e kromit në eksport.

Akciza për zhavorret bituminoze u propozua të ishte 2 lekë/kg, por, pas kundërshtimeve të aktorëve të tregut dhe ndërhyrjeve të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ajo do të korrigjohet duke u përgjysmuar. Pra, duke zbritur në 1 lekë/kg. Megjithatë, sipas deputetëve, edhe në këto nivele kjo taksë penalizon këtë industri, duke kërkuar që ajo të vendoset në nivelet 0.3-0.4 lekë/kg.

Ndërkaq, sa i takon rentës së kromit në eksport, e cila parashikohet të shkojë nga 6%, në 9%, me qëllim që të nxitë shitjen e mineralit brenda vendit, duke hapur vende pune dhe shtuar të ardhurat e subjekteve dhe taksat ndaj shtetit, Komisioni ka kërkuar që rritja të mos jetë e menjëhershme, por graduale, me ritme nga 1 për qind për gjatë tre viteve në vazhdim, duke krijuar një mundësi për rritjen e parashikueshmërisë së politikave fiskale për biznesin dhe nxitjen e investimeve brenda vendit.
Këto propozime do të diskutohen edhe në mbledhjen e së premtes, ku parashikohet edhe votimi nen për nen i Projektbuxhetit të vitit 2019 dhe Paketës Fiskale që lidhet me të.