Ballina Aktualitet Kosovë, zgjedhjet i fitoi Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti drejt detyrës së kryeministrit

Kosovë, zgjedhjet i fitoi Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti drejt detyrës së kryeministrit

Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 197 966 vota, ose 25,79 përqind të të gjithë votave, duke dalë forca politike më e madhe në vend. E dyta u rendit Lidhja Demokratike e Kosovës, me 192 300 vota, ose 25,05 përqind të të gjitha votave.

Prishtinë / Mitingu i fitores së Lëvizjes Vetëvendosje

Në këtë mënyrë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 tetorit, ndonëse ai nuk është ende rezultati zyrtar, pasi nuk janë përfshirë votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtën për të votuar në këto zgjedhje e kishin 1 937 868 shtetas kosovarë, ndërkohë që votuan 43,22 përqind e tyre. Numri i fletëve të vlefshme të votimit ishte 766 904, ndërsa fletë të pavlefshme votimi rezultuan 39 136.

Në këto zgjedhje, shtetasit kosovarë i hodhën votat e tyre në 2 547 vende votimi.

Deri sot në mëngjes, procesi i numërimit ka përfunduar në të gjitha qendrat e votimit, ndërkohë që rezultati i shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka përfshirë votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës renditet Partia Demokratike e Kosovës me 162 342 vota, ose 21,15 përqind të të gjitha votave, ndërsa koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Partinë Social-Demokrate ka marrë 89 287 vota, ose 11,63 përqind e të të gjitha votave. Koalicioni mes Nismës Socialdemokrate, Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë ka marrë 37 786 vota, ose 4,92 përqind të të gjitha votave.

Lista Serbe, forca politike kryesore e komunitetit serb në Kosovë, ka marrë 47 633 vota, ose 6,21 përqind të të gjitha votave.