Kosova është përfshirë nga moti i keq me rrebeshe e stuhi shiu, që ka shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe dëme të shumta materiale. Policia e Kosovës njofton se, gjatë dy ditëve të fundit, ka pasur shumë aksidente rrugore.
Bazuar në raportet e Policisë së Kosovës, dje numri i aksidenteve ka mbërritur në 42, të cilat shkaktuan lëndimin e 14 persona. Një ditë më parë kishin ndodhur edhe 45 aksidente të tjera, të cilat rezultuan me më shumë se 20 persona të lënduar.
Reshjet dhe erërat e forta, përveç bllokimit të rrugëve dhe pengimit të qarkullimit, këto dy ditë kanë shkaktuar edhe dëme materiale nëpër shtëpi e biznese. Në të gjithë vendin, ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve janë vënë gjendje alarmi, për të ndihmuar në lëvizjen e automjeteve.