Ballina Politikë Kosovë, presidenti Thaçi: Rama ka bërë një punë që i ka munguar...

Kosovë, presidenti Thaçi: Rama ka bërë një punë që i ka munguar Shqipërisë prej një shekulli

Gjatë një interviste televizive, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, është shprehur se mes opozitës dhe mazhorancës në Shqipëri duhet të ketë dialog për të mirën e vendit, teksa shtoi se Rama ka bërë një punë që i ka munguar Shqipërisë prej një shekulli.

“Realisht i kam përcjellë nga afër të gjitha zhvillimet në Tiranë, ashtu siç i përcjell edhe politika e Tiranës të gjitha zhvillimet në Prishtinë apo gjetiu ku jetojnë shqiptarë. Por ajo që është jashtëzakonisht me rëndësi është se duhet të respektojmë legjitimitetin dhe autoritetin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e lira, institucione këto që burojnë prej vullnetit të njerëzve, si në Prishtinë, si në Tiranë. Pastaj debatet, ballafaqimet pozitë-opozitë janë gjëra që duhet të respektohen dhe të shikohen në kuadër të kornizës së angazhimeve që kemi, edhe ligjore, por në të njëjtën kohë edhe kushtetuese, edhe të funksionimit të demokracisë,” – theksoi Thaçi.

“Debatet dhe ballafaqimet janë ato që duhet të na çojnë përpara. Ato janë vlerë e proceseve tona euroatlantike, por në asnjë rrethanë nuk duhet të na kthejnë prapa apo të bllokojnë të ardhmen e qytetarëve tanë, prandaj, mendoj që është jashtëzakonisht me rëndësi dialogu pozitë-opozitë që të punohet për reforma. Unë mendoj që Shqipëria ka pasur një vlerësim maksimal prej Bashkimit Evropian dhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës në veçanti, në procesin e reformave demokratike. Mendoj se në këtë drejtim Kryeministri Rama, me reformat që ka bërë, ka bërë një punë që i ka munguar Shqipërisë prej një shekulli të tërë. Por, natyrisht që ky angazhim duhet të ketë një koordinim të afërt edhe me opozitën, në mënyrë që të jenë të gjithë bashkëpjesëmarrës dhe bashkëmeritues, sepse tek e fundit, Reformën në Drejtësi e kanë votuar të gjithë, me aq sa di unë, me 2/3 e votave. Unë mendoj që duhet të respektohet parimi i dialogut dhe i mirëkuptimit, dhe i respektimit të legjitimitetit qytetar dhe në asnjë rrethanë të sfidohen proceset e rregullta demokratike prej kujtdo qoftë dhe prej ngado që vijnë. Toleranca, mirëkuptimi dhe dialogu janë vlera që politika shqiptare, mendoj unë, që duhet t’u avancojë,” – tha ndër të tjera Presidenti i Kosovës.