Ballina RAJONI Kosovë, presidenti Thaçi kërkon unitet nga klasa politike 

Kosovë, presidenti Thaçi kërkon unitet nga klasa politike 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në fjalimin e tij tha para deputetëve se mbështet ekipin e ri negociator dhe pret unitet nga spektri politik kosovar dhe shtoi gjithashtu se nuk do të ketë Asociacion të Komunave serbe me kompetenca ekzekutive.

“Si president i vendit zotohem përsëri se diçka e tillë nuk do të ndodhë, në asnjë rrethanë. Pra nuk do të ketë themelim të asnjë Asociacioni me elementë ekzekutivë, që do ta defunksionalizonte shtetin e Kosovës,” – tha Thaçi.

Në fjalimin e tij të fundvitit, që është detyrë kushtetuese e tij, Thaçi tha se Kosova është e përkushtuar për dialog dhe paqe, e po angazhohet me të gjitha forcat që të jetë sa më parë vend anëtar në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Duke kujtuar të shkuarën e dhimbshme në Kosovë, ai sidoqoftë tha se është koha të hidhen sytë nga e ardhmja dhe të fitohet paqja me Serbinë.

“E mirëpres themelimin e ekipit negociator, i nderuar kryetar i Kuvendit, nga Kuvendi i Kosovës dhe fillimin e punës për marrëveshje me Serbinë,” – shtoi më tej Presidenti i Kosovës.