Ballina LAJME Kosovë, presidenti Thaçi i akordon Leonard Demit dekoratën e Urdhërit të Pavarësisë

Kosovë, presidenti Thaçi i akordon Leonard Demit dekoratën e Urdhërit të Pavarësisë

Presidenti kosovar Hashim Thaçi ka vlerësuar ish-ambasadorin e Shqipërisë në NATO, Leonard Demi, me dekoratën e Urdhërit të Pavarësisë. Dekorata e lartë u dorëzua në Tiranë, gjatë një ceremonie të veçantë, e organizuar nga ambasadori kosovar Sylë Ukshini.

Teksa ka pranuar dekoratën e akorduar, Demi ka theksuar se “falenderoj presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për nderin e madh që bëri, duke vlerësuar kontributin tim modest në përpjekjet e mia dhe të delegacionit të Republikës së Shqipërisë në NATO.” Ai shtoi se “pavarësia e Kosovës ka qenë projekt i gjithë shqiptarëve.”

Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, ka nënvizuar se “kontributi i Shqipërisë është politik, diplomatik, ekonomik, kulturor.” “Është një kontribut i gjithanshëm, – ka shtuar ambasadori Ukshini. – Nuk është e tepërt të thuhet se pa kontributin e Shqipërisë, liria e Kosovës nuk do të ishte kështu si është.”

Leonard Demi ka shërbyer si ambasador në NATO nga viti 2013 deri në 2018.