Ballina Aktualitet Kosovë, pezullohet kalimi transit i autobusëve nga Bajram Curri në Tiranë

Kosovë, pezullohet kalimi transit i autobusëve nga Bajram Curri në Tiranë

Pesë autobusë të linjës ndërqytetase të transportit të udhëtarëve Bajram Curri – Tiranë dhe anasjelltas nuk janë lejuar sot të kalojnë pikën doganore të Vërmicës për të hyrë në Kosovë, që më pas të dalin në Qafë të Morinës për të shkuar në Tropojë.

Mësohet se autoritetet kosovare kanë ndërhyrë për shkak të shkeljeve të përsëritura që Prishtina pretendon se autobusët e linjës Bajram Curri – Tiranë kryejnë.

Në fakt, linja ndërqytetase e transportit të udhëtarëve Bajram Curri – Tiranë nuk ka asnjë arsye pse të kalojë nëpër Kosovë, pasi licenca e linjave të tilla nuk parashikon aktivitetin e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve. Por, për shkak të rrugës aspak të mirë nga Bajram Curri në Tiranë, autobusët dalin nga Shqipëria në Qafën e Morinës në drejtim të Gjakovës dhe hyjnë përsëri në Shqipëri në vendkalimin e Vërmicës, apo edhe anasjelltas, duke marrë më pas Rrugën e Kombit drejt Tiranës.

Megjithatë, ky kalim i ashtuquajtur transit, ka ndodhur prej kohësh me mirëkuptimin e autoriteteve kosovare. Por, nuk kanë qenë të pakta rastet kur autobusët e kësaj linje kanë marrë udhëtarë në Gjakovë apo Prizren për t’i sjellë drejt qyteteve të vendit tonë. Me sa duket, pamundësia për ta zgjidhur këtë ngërç ka sjellë pezullimin e kalimit transit.