Ballina Aktualitet Kosovë, operacion policor kundër krimit të organizuar, Serbia rrit nivelin e gadishmërisë

Kosovë, operacion policor kundër krimit të organizuar, Serbia rrit nivelin e gadishmërisë

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion të gjërë, kryesisht në rajonet veriore në kufirin me Serbinë, një operacion ky i drejtuar veçanërisht kundër grupeve të organizuara kriminale të kontrabandimit. Deri tani, numri i të arrestuarve ka mbërritur në rreth 30, mes të cilëve janë edhe punonjës së Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës. Sipas raportimeve nga mediat kosovare, të arrestuarit janë shtetas kosovarë të kombësive shqiptare, serbe dhe boshnjake, ndërkohë që njëri prej tyre dyshohet se është një shtetas rus, punonjës i UNMIK.

Operacioni policor, i cili filloi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ishte rezultat i një punë të gjatë hetimore të Prokurorisë së Kosovës.

Prania e forcave të shumta të Policisë së Kosovës në rajonet veriore, të cilat banohen kryesisht nga serbë, nuk është pritur edhe aq mirë, duke sjellë edhe konfrontime dhe shkëmbime zjarri. Deri tani, mësohet se katër efektivë të Policisë së Kosovës janë plagosur, njëri prej tyre në gjendje të rëndë. Popullsia serbe në veri të Kosovës ka ngritur deri edhe barrikada në rrugë për të penguar operacionin policor, ndërkohë që Beogradi ka rritur nivelin e gadishmërisë së forcave të veta të armatosura.

Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve në rajonet veriore të Kosovës që të ruajnë qetësinë, ka deklaruar se operacioni policor është drejtuar vetëm kundër “individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.” “Konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër,” – ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndërkohë, duke folur për mediat serbe, një zëdhënës i KFOR, teksa ka bërë të ditur se operacioni policor është shtrirë në të gjithë Kosovën dhe jo vetëm në rajonet veriore të vendit, ka deklaruar se ndërhyrja “nuk është kundër serbëve, por vetëm kundër personave të dyshuar për krim dhe korrupsion.”