Ballina LAJME Kosovë, ndalohet përdorimi i telefonave në shkolla

Kosovë, ndalohet përdorimi i telefonave në shkolla

Edhe Kosova ndërmerr nismën për ndalimin e telefonave mobil nga nxënësit dhe mësimdhënësit në gjitha institucionet e arsimit parauniversitar.

Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, njoftoi vendimin përmes rrjetit social Facebook, duke e arsyetuar atë më faktin se kjo ndalesë do të ndikojë në mbarëvajtjen e procesit mësimor.
“Në funksion të përmirësimit të mbarëvajtjes së procesit mësimor në shkolla dhe të ngritjes së cilësisë në arsim, sot kam nënshkruar Vendimin për ndalimin e përdorimit të telefonit gjatë procesit mësimor nga mësimdhënësit dhe nxënësit në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në Republikën e Kosovës,” -ka shkruar Ministri i Arsimit.

Sipas këtij vendimi për zbatimin e tij ngarkohet Sekretari i përgjithshëm i MASH, Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA-të) dhe drejtorët e institucioneve të arsimit parauniversitar, të cilët janë edhe përgjegjës për marrjen e masave sipas legjislacionit në fuqi në rast të shkeljes së tij.
Shumë shtete kanë ndërmarrë këtë nismë, mes tyre dhe Shqipëria.