Ballina RAJONI Kosovë, Ministria e Jashtme konfirmon sulmin e rrjetit nga hakerët serbë

Kosovë, Ministria e Jashtme konfirmon sulmin e rrjetit nga hakerët serbë

Pas sulmeve kibernetike të ndodhura së fundmi në sistemin shtetëror, Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë ka konfirmuar se këto sulme vijnë nga hakerët nga Serbia dhe nga Bosnja.

Njoftimin, Ministria e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”.

“Dje sistemi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës ka pësuar një sulm kibernetik. Autoritetet përkatëse janë përgjigjur dhe po punojnë për të mbajtur sistemin e komunikimit të sigurt dhe në funksion. Hetimet fillestare tregojnë se burimet e sulmeve kryesisht vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina,” – thuhet në deklaratë.

Ndërkaq, eksperti i kibernetikës Hekuran Doli, ka thënë se Kosova në dy ditët e fundit është ballafaquar me sulmin kibernetik më të madh ndonjëherë.

“Në dy ditët e fundit po ballafaqohemi me sulmin kibernetik më të madh me të cilin jam ballafaquar ndonjëherë në karrierë, pavarësisht se kam menduar se kam parë gjithçka në këtë aspekt. Siç po vërehet, Kosova është në luftë kibernetike. Fatmirësisht deri në këtë moment po mbahemi mirë, nuk e di çfarë do të ndodhë në minutat në vijim,” – ka shkruar Doli në Facebook, duke theksuar se këto sulme janë duke ardhur nga shtete të ndryshme.