Ballina RAJONI Kosovë, ministri i jashtëm Pacolli: Shtyrja e samitit të Parisit vonon marrëveshjen...

Kosovë, ministri i jashtëm Pacolli: Shtyrja e samitit të Parisit vonon marrëveshjen Prishtinë-Beograd

Ministri i jashtëm kosovar Behgjet Pacolli ka thënë se me shtyrjen e takimit të Parisit do të vonohet edhe arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Samiti i Parisit, i parashikuar për më 1 korrik dhe i thirrur nga Gjermania dhe Franca, do të ishte një takim i vendeve të Ballkanit Perëndimor me Gjermaninë, Francën dhe drejtuesit e lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nga sa ishte diskutuar deri tani, ky samit do të përqëndrohej tek bisedimet Kosovë-Serbi, me qëllimin për të zhbllokuar qorrsokakun ku ato kanë hyrë tani.

Ditët e fundit, në Berlin janë zhvilluar disa takime në nivel teknik, ku ka rezultuar se Prishtina dhe Beogradi janë ende larg uljen në tavolinën e bisedimeve. Nga ana tjetër, zgjedhjet për Parlamentin Evropian e kanë shpërqëndruar disi vëmendjen e Gjermanisë dhe Francës.

Me këtë rast, ministri i jashtëm i Kosovës, përmes një shkrimi në Facebook, ka pohuar se “Kosova nuk do të mbetet peng dhe as e izoluara nga tekat e Serbisë.” “Çdo pengesë që po i bëhet Kosovës është pengesë që po i bëhet edhe rajonit në proces të rrugëtimit evropian,” – shkruan Pacolli.

Ai fajëson Serbinë për situatën e krijuar, duke kërkuar që BE dhe vendet anëtare “ta ashpërsojnë qasjen ndaj Serbisë.”