Ballina Aktualitet Kosovë, mbledhja e përbashkët e qeverive, kryeministri Haradinaj kërkon Rrugën e Kombit

Kosovë, mbledhja e përbashkët e qeverive, kryeministri Haradinaj kërkon Rrugën e Kombit

Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj shfrytëzoi konferencën për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive që u zhvillua në Pejë, për të përsëritur kërkesën që të përmbylln punimet në Rrugën e Kombit.

“Është folur shumë për taksën në rrugë 5 euro që e paguajmë ne, por unë kam një shqetësim më të madh dhe i kam kërkuar kryeministrit Rama mundësinë që të përmbyllet, të kryhet rruga, – tha kryeministri Haradinaj. – Më kujtohet kur e ka nisur kryeministri Nano që shpërthente ata gurët me ushtri, më pas kryeministri Majko, pastaj erdhi kryeministri Berisha. E ka sjellë në gjendjen ku është sot, por nuk është kryer rruga. I takon kryeministrit Rama të përmbyllë Rrugën e Kombit, nuk bën me e lënë ashtu. Është kërkesë legjitime e qytetarëve të Kosovës, ne jemi në gjendje me e pagu aq sa duhet me e pagu, por kërkojmë që rruga të jetë e kryer. Kostoja rritet jo vetëm me ato që paguajmë, por edhe kur nuk është e kryer rruga.”

Në përgjigje, kryeministri Rama shprehu angazhimin për të përfunduar rrugën.

“Është shumë e rëndësishme të mbarojmë Rrugën e Kombit, – theksoi kryeministri shqiptar Rama. – Është një rrugë e papërfunduar, me rreziqe, një rrugë që pa kontributin e të gjithëve nuk mundet të përfundojë. Mundësitë financiare janë ato që janë, do bëjmë çmos të përfundojmë Rrugën e Kombit.”