Ballina LAJME Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje shpall fitoren, Albin Kurti i gatshëm për koalicion me...

Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje shpall fitoren, Albin Kurti i gatshëm për koalicion me LDK

Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare në Kosovë dhe menjëherë ka bërë të ditur qëndrimin e saj për të formuar kolicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 197 966 vota, ose 25,79 përqind të të gjithë votave, duke dalë forca politike më e madhe në vend. Ky numër votash pritet t’i japë asaj 31 deputetë. Ndërkohë, e dyta u rendit Lidhja Demokratike e Kosovës, me 192 300 vota, ose 25,05 përqind të të gjitha votave, që pritet të marrë 30 deputetë.

Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë, ndërkohë që dispozitat kushtetuese e bëjnë të detyrueshëm përfshirjen në qeveri edhe të pakicave kombëtare dhe kulturore. Këto të fundit kanë të rezervuara 20 vende në Kuvend, duke e bërë kështu të mundshëm dhe shumë të qëndrueshëm një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Sigurisht se ne gjithmonë e kemi konsideruar LDK si partnerë në opozitë, – ka deklaruar mbrëmë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. – Kemi bërë hapa të bashkërenduar. Fatkeqësisht nuk arritëm ta shndërrojmë në projekt të përbashkët si deshëm. Së bashku do t’i kemi 60 deputetë. Unë si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës preferoj një qeveri stabile dhe patjetër e shoh si partnerë LDK. Nesër do ta ftoj LDK për të krijuar koalicionin.”