Ballina Ekonomi / Biznes Kosovë, kryeministri Haradinaj: Taksa për Serbinë dhe Bosnjën nuk shfuqizohet

Kosovë, kryeministri Haradinaj: Taksa për Serbinë dhe Bosnjën nuk shfuqizohet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se masa ndaj importit të mallrave serbe nuk duhet të hiqet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Këto deklarata, kryeministri Haradinaj i bëri gjatë seancës së Kuvendit, ku po diskutohej për politikën e jashtme të vendit.

“Unë mendoj se masat që kemi vendosur ndaj prodhimeve që vijnë nga Serbia duhet të jenë të përheshme deri në njohje, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran nuk duhet ta heqim,” – tha kryeministri Haradinaj.

Ai më tej bëri thirrje të mos ketë tërheqje ndaj këtij vendimi edhe përkundër faktit se mund të ketë, siç tha ai, “lutje, përkrahje apo këshilla si kundërvlerë për këto masa.”

Deklarata e kryeministrit Haradinaj bëhet një ditë pasi qeveria e Kosovës vendosi të rrisë taksën doganore ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës nga 10 përqind sa ishte deri tani në 100 përqind.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që kjo taksë të hiqet menjëherë, pasi përbën shkelje të marrëveshjes rajonale së tregëtisë së lirë, e njohur si CEFTA.