Ballina RAJONI Kosovë, kryeministri Haradinaj sqaron pse u vendos taksa për mallrat serbe

Kosovë, kryeministri Haradinaj sqaron pse u vendos taksa për mallrat serbe

Në një letër dërguar vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe Sekretarit të Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë detajet se pse Kosova ka marrë vendimin për vendosjen e taksës prej 100 përqind, për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Në letër thuhet ndër të tjerash se Republika e Kosovës i njeh detyrimet që dalin nga CEFTA dhe në mënyrë të vazhdueshme ka përmbushur në mirëbesim të gjitha obligimet.

Megjithatë, siç thuhet tutje, përderisa Kosova i zbatonte plotësisht obligimet e saj, ajo vazhdimisht përballej dhe raportonte për mos respektimin nga Republika e Serbisë dhe Bosnjës së Hercegovinës të obligimeve që dilnin nga CEFTA dhe ligjet e tjera të zbatueshme ndërkombëtare.

“Të dy këto shtetet kanë bërë veprime të cilat shkelin detyrimet e CEFTA-së, ndërhyjnë në rendin e brendshëm kushtetues, dhe kërcënojnë sovranitetin, sigurinë dhe politikat publike të Kosovës”, thuhet në letër.

Në rastin e Republikës së Serbisë, shkruan tutje letra, këto veprime janë në kundërshtim edhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Gjithashtu, republika e Serbisë ka shkelur Kapitullin 35 të BE-së për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila kërkon ‘angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të qëndrueshëm në marrëdhëniet me Kosovën’”.

Në këtë drejtim, theksohet se pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, bizneset kosovare u përballën me pengesa shumë më të më të mëdha në eksportimin e produkteve në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

“Rrjedhimisht, eksportuesit e Kosovës u përjashtuan nga qasja në tregje të caktuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, pasi asnjëra nga këto vende nuk lejonte automjetet e Kosovës të kalojnë në territorin e tyre. Eksportuesit e Kosovës u detyruan të gjejnë rrugë alternative të qasjes, të cilat rezultojnë në shpenzime shtesë udhëtimi, logjistike dhe administrative. Natyra e mallrave që prishen përjashton çdo rrugë tjetër alternative”.

Qeveria e Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës dhe bizneset individuale të Kosovës kanë raportuar rregullisht shkeljet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, duke përfshirë edhe mospranimin e vulave doganore të Kosovës, ndalesat arbitrare doganore, barrierat e panevojshme teknike dhe procedurale dhe masa të tjera jo fiskale.

“Këto ankesa janë regjistruar në bazën e të dhënave të CEFTA dhe janë dorëzuar tek organet e ndryshme të CEFTA përfshirë komitetin e përbashkët për konsultime dhe nën-komitetin për barrierat jo-tarifore. Këto ankesa u janë dorëzuar edhe autoriteteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Megjithatë, kjo nuk rezultoi me ndonjë konsultim apo rezolutë: Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina në mënyrë të vazhdueshme kanë dështuar të adresojnë si duhet këto çështje. Edhe në rastet e rralla kur trajtoheshin ankesat, prapë barrierat e njëjta shpërfaqeshin në mënyrë të përsëritur”, thuhet ndër tjerash në letrën e Haradinajt, dërguar shteteve të Bashkimit Evropian.