Ballina RAJONI Kosovë, kryeministri Haradinaj reagon ndaj deklaratës së Brnabiç: Taksa nuk hiqet

Kosovë, kryeministri Haradinaj reagon ndaj deklaratës së Brnabiç: Taksa nuk hiqet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratës së homologes së tij serbe Ana Brnabiç, duke theksuar se taksa ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet dhe është pikërisht sjellja e Beogradit zyrtar që shtyn Prishtinën drejt një qëndrimi të tillë.

Haradinaj e cilësoi absurde kërkesën e kryeministres serbe për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga ana e Shqipërisë. Sipas tij, janë pikërisht këto sjellje të Beogradit zyrtar, që detyruan Republikën e Kosovës të vendosë taksë 100% ndaj produkteve serbe. Haradinaj theksoi se është detyrë e lidershipit kosovar të mbrojë sigurinë kombëtare. Ai shtoi se kryeministrja e Serbisë vazhdon të dërgojë letra për qeveritë e ndryshme duke i kërkuar tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, madje dhe Shqipërisë.

Sipas Haradinaj një kërkesë e tillë është absurde dhe tregon njëherë më shumë se çfarë qëndrimi ruan Beogradi dhe si rrjedhojë reagimet e Prishtinës. Kryeministrja serbe ndër të tjera, në letrat e saj të publikuara nga mediat serbe por dhe ato në Kosovë, ankohet për atë që e quan shtypje dhe krime kundër popullit të saj në Kosovë.