Ballina RAJONI Kosovë, kryeministri Haradinaj nuk tërhiqet: Nuk e heqim taksën ndaj Serbisë

Kosovë, kryeministri Haradinaj nuk tërhiqet: Nuk e heqim taksën ndaj Serbisë

Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë kompromis me Bashkimin Evropian, edhe pse përfaqësuesja e lartë për punët e jashtme dhe politikat e sigurisë Frederica Mogherini ka ofruar që, në këmbim të heqjes së taksës ndaj Serbisë, Kosova të njihet me emrin e saj kushtetues.

Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj pritet t’i kthejë një përgjigje zyrtare me shkrim përfaqësueses së lartë të BE për punët e jashtme dhe politikat e sigurisë. “Letra nuk përmban asnjë rresht me ndonjë qëndrim që nuk është i njohur për qytetarët e Kosovës, – ka thënë për mediat Avni Arifi, shefi i kabinetit të kryeministrit Haradinaj. – Të gjitha qëndrimet e qeverisë janë të njohura për qytetarët.”

Në bazë të kësaj deklarate nënkuptohet se qeveria e Kosovës do t’i thotë jo ofertës së BE.

Pas dështimit për t’u anëtarësuar në Interpol, gjë për të cilën Serbia loboi maksimalisht kundër Kosovës, Prishtina mori vendim për të vendosur tarifën doganore prej 100 përqind të çmimit për të gjitha produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Përveç kësaj, qeveria e kryeministrit Haradinaj ka paralajmëruar edhe masa të tjera ndëshkuese.