Ballina LAJME Kosovë, këshilltari i Thaçit: Pezullimi i taksës për produktet serbe do të...

Kosovë, këshilltari i Thaçit: Pezullimi i taksës për produktet serbe do të ishte gabim strategjik

Bekim Çollaku, këshilltari më i afërt dhe shefi i Kabinetit të Presidentit të Kosovës mendon se heqja apo pezullimi i taksës për produktet serbe do të ishte një gabim strategjik. Në një intervistë televizive, Çollaku është shprehur se, për momentin, taksa duhet të mbetet në fuqi.

“Për mendimin tim, do të ishte gabim strategjik që në këto momente të mendohet heqja e tarifave, – ka theksuar Çollaku. – Kulmi i presionit ndërkombëtar kaloi muaj më parë dhe gjatë asaj periudhe qeveria ka treguar vendosmëri. Nëse kjo qeveri dhe ky koalicion i ka rezistuar një presioni aq të madh, presion pozitiv nga Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që t’i jepej mundësi dialogut dhe në të njëjtën kohë nuk është bërë një gjë e tillë, atëherë cili është arsyetimi që një gjë e tillë të ndodhë sot kur momentumi për një marrëveshje eventuale mes Kosovës dhe Serbisë është humbur. Prandaj konsideroj që taksa duhet të mbetet në fuqi.”