Ballina Aktualitet Kosovë, i riu mashtron Agjencinë Kosovare të Inteligjencës

Kosovë, i riu mashtron Agjencinë Kosovare të Inteligjencës

26-vjeçari nga Prishtina, Edmond Jetullahu dyshohet se tetë vjet më parë përpiloi një dokument të falsifikuar, me të cilin u vetë punësua në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Përmes falsifikimit të dokumentit për vite me radhë, Jetullahu dyshohet të ketë siguruar qasje në dokumente topsekrete të institucioneve shtetërore.

Jetullahu, i cili u arrestua të martën nga Policia e Kosovës, dyshohet për kryerjen e veprave penale të Spiunazhit, Prezantimit të Rremë dhe Falsifikimit të Dokumenteve. Lidhur me këto dyshime që rëndojnë mbi 26-vjeçarin nga Prishtina, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur zyrtarisht hetimet të mërkurën.

Insajderi ka siguruar aktvendimin për fillimin e hetimeve ndaj Jetullahut, të përpiluar nga prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi. Në këtë aktvendim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Jetullahu ka kryer tri veprat penale të spiunazhit, falsifikimit të dokumenteve dhe prezantimit të rremë.