Ballina RAJONI Kosovë, dorëhiqen kryetarët e katër komunave me shumicë serbe

Kosovë, dorëhiqen kryetarët e katër komunave me shumicë serbe

Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në rajonet veriose të Kosovës kanë dhënë dorëheqjen nga postet e tyre, duke e mbështetur vendimin në pohimin se serbëve të Kosovës u kërcënohet jete nga shkeljet dhe masat drastike të marra së fundmi nga qeveria kosovare.

Goran Rakic, kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Zoran Todic, kryetar i Komunës së Leposaviçit, Stevan Vulovic, kryetar i Komunës së Zubin-Potokut dhe Vucina Jankovic, kryetar i Komunës së Zveçanit kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët me disa pika, ku kanë paraqitur edhe arsyet për vendimet e tyre.

Katër pikat që kanë çuar kryekomunarët serbë në këtë vendim të përbashkët janë:

  • Ngritja e takës në 100 përqind për mallrat serbe, përmes së cilës serbëve të Kosovës u është kërcënuar e drejta për jetesë, për shërim dhe mbijetesë, gjë që çon në krizë edhe më të thellë;
  • Dhuna e vazhdueshme, rrahja e serbëve, arrestimet e paligjshme dhe tentimi për të vrarë Milan Radojicic, gjë që po ashtu rrezikon të drejtën për jetesë të serbëve në Kosovë;
  • Shkeljet e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare, që nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB e deri tek marrëveshjet e Brukselit dhe të CEFTA;
  • Shkelja e akteve të veta nga ana e Prishtinës, me të cilat duhet të respektohen të drejtat e serbëve.

Si rrjedhojë e dorëheqjes së tyre, puna në administratat vendore të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës pritet të vështirësohet ndjeshëm.