Ballina LAJME Kosovë, Dita e Lirisë, festohet 20-vjetori i hyrjes së trupave të NATO...

Kosovë, Dita e Lirisë, festohet 20-vjetori i hyrjes së trupave të NATO (VIDEO)

Kosova shënon sot 20-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO, një ditë e cila tani njihet edhe si Dita e Lirisë së Kosovës. Në këtë datë historike, autoritetet në Prishtinë kishin ftuar edhe ish-presidentin amerikan Bill Klinton, ish-sekretaren e shtetit Madlen Ollbrajt dhe shumë personalitete tjera që ndihmuan në çlirimin e Kosovës. Në këtë eviment ishin të pranishëm edhe presidenti shqiptar Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama.

Në përshëndetjen e tij, presidenti kosovar Hashim Thaçi nënvizoi edhe njëherë vokacionin perëndimor të Kosovës.

“Ka qenë një hap vendimtar për ta shpëtuar një popull të tërë, për të mundësuar që e keqja të pësojë disfatë dhe që të gjithë neve të na ofrohet mundësia historike, që ta ndërtojmë një të ardhme për ne dhe për brezat e ardhshëm, – tha presidenti Thaçi. – Sa të ketë jetë dhe njerëz në këto anë, sa të ketë Kosovë mbi këtë tokë, ne do të jemi falënderues për qëndrimin dhe vendimin tuaj njerëzor dhe qytetërues të pranverës së vitit 1999.”

Më tej, presidenti kosovar ka shtuar se “liria e Kosovës është vlerë e përbashkët e të gjithë neve këtu.” “Secili politikan i Kosovës, secili qytetar i saj, nuk ka as më të voglin dyshim se çka jemi ne si popull apo cili është identiteti ynë suprem, – theksoi presidenti i Kosovës. – Ne jemi evropianë dhe duam të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Ne jemi perëndimorë dhe duam të jemi shtet anëtar i paktit të NATO.”

Në këtë ceremoni të madhe festive, orgnizuar në qendër të Prishtinës, përshëndetën edhe ish-presidenti Klinton dhe ish-sekretarja e shtetit Ollbrajt. Më herët, për kontributin e jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të dy miqtë e shquar u nderuan nga presidenti Thaçi me dekoratën e lartë të Urdhrit të Lirisë.