Ballina Ekonomi / Biznes Kosovë, biznesi vendas mirëpret taksën ndaj produkteve serbe

Kosovë, biznesi vendas mirëpret taksën ndaj produkteve serbe

Biznesi kosovar ka mirëpritur vendosjen e taksës doganore prej 100 përqind të çmimit ndaj produkteve serbe. Astrit Panxha, drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, shprehet se ky moment mund të përdoret për rritjen e marrëdhënieve tregtare me Shqipërinë, të cilat tashmë janë në minimum.

“Prodhuesit e Kosovës e kanë jashtëzakonisht të vështirë të depërtojnë në tregun e Serbisë, ndërsa prodhuesit e Serbisë e kanë pasur të lehtë të depërtojnë në tregun e Kosovës, – ka thënë Panxha për mediat. – Kjo do të thotë që eksportet e Serbisë në Kosovë ishin 450 mln euro në vit, ndërsa eksportet e Kosovës në Serbi janë rreth 40 mln euro në vit.”

Ai shprehet se situata duhet shrytëzuar për të rritur marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë, por për këtë kërkon heqjen e një sërë barrierash tregtare. “Kërkesa jonë e parë është heqja e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë, – ka shtuar Panxha. – Njëkohësisht, nevojitet edhe heqja e pagesës për terminalet doganore në Kosovë, njohja e çertifikimeve dhe analizave fitosanitare, përshpejtimi i procedurave doganore në trajtimin e praktikave të qarkullimit tregtar.”