Ballina Ekonomi / Biznes Kosovë, 94 përqind e grurit nga Serbia, tarifat e reja doganore rrisin...

Kosovë, 94 përqind e grurit nga Serbia, tarifat e reja doganore rrisin çmimin e bukës

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, pjesa më e madhe e drithrave importohet nga Serbia. Të dhënat e ASK tregojnë se, në vitin 2015, Kosova ka importuar 84 176 ton grurë dhe mbi 94 përqind e kësaj sasie është importuar nga Serbia. Në vitin 2016 janë importuar 135 282 ton grurë dhe mbi 97 përqind e kësaj sasie origjinën e kishte po nga Serbia. Pasqyra vijon të jetë thuajse e njëjtë edhe për vitin 2017 dhe periudhën e deritanishme të këtij viti.

Pjesën e mbetur të nevojave të tregut për drithëra Kosova e mbulon duke importuar nga vendet e tjera, por sasia është shumë e vogël. në këtë mënyrë, Kosova importon grurë edhe nga Hungaria, Austria dhe Kroacia.

Ky realitet është kryesisht pasojë e zvogëlimit të sipërfaqes së mbjellë me grurë. Në vitin 2012, Kosova ka pasur 102 918 hektarë tokë bujqësore të mbjellë me grurë, ndërsa në vitin 2017 sipërfaqja ishte vetëm 80 519 hektarë.

Për të ulur varësinë nga Serbia, qeveria e Kosovës vendosi rritjen e tarifës doganore me 10 përqind për importet nga ai vend, masë kjo që me sa duket nuk ka dhënë rezultatin e pritshëm. Në vend të diversifikimit të importit, në Kosovë ka nisur rritja e çmimit të bukës, ku vetëm në Prizren është rritur me 33 përqind.