Ballina Aktualitet Kosova vendi më i zoluar në Evropë feston Ditën e Evropës

Kosova vendi më i zoluar në Evropë feston Ditën e Evropës

Udhëheqësit politik në Kosovë i bëjnë thirrje BE-së, që mos e mbajnë Kosovën të izoluar. Ata thonë, se izolimi i qytetarëve të Kosovës nga liria e lëvizjes në BE sot në Ditën e Europës është njollë për BE-në.

Në Kosovë 9 maji Dita e Evropës është ditë feste, nuk punohet, por kjo ditë kremtohet me aktivitete të ndryshme në barë Kosovën. Kjo për arsyen, se sipas politikanëve drejtues kosovar, Kosova ka vetëm një vizion dhe ndjek vetëm një rrugë: atë të integrimit evropian, edhe pse është vendi i vetëm në Evropë, që akoma ka regjim vizash për në vendet Shengen. Ky është aktualisht shqetësimi kryesor i kosovarëve. Ndonëse Komsioni Evropian dhe Parlamenti Evropian tashmë kanë konstatuar që Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave, Këshilli i BE-së që përbëhet nga qeveritë e vendeve anëtare të BE-së, ende nuk kanë dhënë dritën e gjelbër.

Sot në ditën e Evropës, të gjithë udhëheqësit politik kosovar bëjnë thirrje që qytetarët e Kosovës të mos mbeten të izoluar.

Ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë dhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, janë të gëzuar që Kosova e feston 9 majin Ditën e Evropës. Në një aktivitet në Prishtinë ata prezantuan informacione mbi studimet në Evropë, mundësitë e pjesëmarrjes në konferenca e trajnime të ndryshme, mundësitë për mësimin e gjuhëve të ndryshme evropiane, por asnjëri nga ta nuk ishte në gjendje ta thotë datën se kur qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm pa viza. Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyza Apostolova, thotë se liberalizimi i vizave do të ndodhë një ditë. “Kosova ka rini të shkëlqyeshme dhe fantastike dhe këta të rinj janë shumë më shumë evropian se ndoshta disa të rinj në shtetet tjera evropiane. Keni të drejtë kur thoni që Kosova për momentin është duke u dënuar duke mos pasur të drejtë të udhëtojë. Tani po flas në emër të institucioneve që unë i përfaqësoj siç janë Komisioni Evropian dhe Komisioni i jashtëm i BE-së, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që kërkohen, prandaj e kemi thënë këtë edhe në raportin tonë dhe i ka përmbushur 95 kriteret që është dashur të përmbushen. Prandaj, edhe ne kemi shpresa që kjo do të ndodhë”, tha Natalya Apostolova, duke rikujtuar se tash është në duart e qeverive të shteteve anëtare të BE-së se kur do t’i thonë po liberalizimit të vizave për Kosovën.