Ballina Aktualitet Kosova seancë të jashtëzakonshme për dëbimin e gjashtë shtetasve turq

Kosova seancë të jashtëzakonshme për dëbimin e gjashtë shtetasve turq

Çështja e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në marsin e vitit të kaluar, do të jetë tema e diskutimit në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Gjashtë shtetas turq të arrestuar në Kosovë lidhur me lidhjet me shkollat e financuara nga lëvizja Fethullah Gulen që Ankaraja e fajëson për një tentim grusht-shteti të dështuar 2016 janë ekstraduar në Turqi në fundin e marsit 2018.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pati deklaruar se nuk ishte i informuar për operacionin për të deportuar gjashtë gylenistët, për të cilin u tha se ishte kryer nga shërbimi sekret dhe policia.

Ministria e Brendshme e Kosovës pati deklaruar se lejet e qëndrimit të gjashtë gylenistëve ishin revokuar pas arrestimit të tyre për “arsye sigurie”.

Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina, sipas Ankarasë zyrtare janë “anëtarë të lartë” të rrjetit të Gylenit.

Ankaraja zyrtare akuzon Gylen, një klerik mysliman që ndodhet në SHBA, për orkestrimin e përpjekjes së grusht-shtetit të 15 korrikut 2016 dhe e ka shpallur lëvizjen e tij një organizatë terroriste. Ai mohon çdo lidhje me akuzat ndaj tij.

Në kulmin e saj, lëvizja Gulen udhëhoqi shkollat në 160 vende, nga Afganistani në Shtetet e Bashkuara. Që nga përpjekja e grusht-shtetit, Turqia ka ushtruar presion ndaj aleatëve për të mbyllur ndërtesat e drejtuara nga Gyleni.

Komisioni hetimor parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq ka intervistuar më shumë se 23 persona. Ditën e fundit të raportimeve, u thirr për të tretën herë edhe presidenti Hashim Thaçi që refuzoi të përgjigjet, ndërkaq folën edhe familjarët e të deportuarëve.

Komisioni i krijuar në Kuvend po heton rrethanat për ndriçimin e procedurave që çuan deri te deportimi i këtyre shtetasve turq nga Kosova, ndërkaq, disa herë nga ky komision janë deklaruar se kanë hasur në një numër të madh të parregullsive.

Dëbimi i gjashtë gylenistëve kishte nxitur reagime të ndryshme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e kanë dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës.