Ballina KULTURË Korçë, Muzeu Kombëtar i Arsimit së shpejti i nënshtrohet restaurimit strukturor dhe...

Korçë, Muzeu Kombëtar i Arsimit së shpejti i nënshtrohet restaurimit strukturor dhe muzeal

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti vizitoi Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë, një nga ndërtesat emblematike të qytetit juglindor, e vizitueshme në çdo kohë dhe periudhë nga qindra shqiptarë vendas dhe të diasporës.

Objekti është i amortizuar pothuajse në të gjithë elementët e tij arkitektonikë dhe konstruktivë.

Ministrja Margariti duke theksuar rëndësinë e këtij muzeu, vuri në dukje se duhet një rikonstruksion i plotë, si nga ana strukturore, ashtu edhe nga ana muzeale.

Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Korçë ka hartuar projektin e plotë të restaurimit dhe në kuadër të Samitit të Diasporës ky projekt do të prezantohet si një nga objektet e rëndësishme të historisë shqiptare.

Objekti parashikon restaurimin e të gjithë strukturës dhe elementëve tradicionalë, duke ruajtur të gjithë elementët. Projekti parashikon realizimin e sondazheve dhe analizat e nevojshme për objektin për të pasur një situatë të qartë të ndërhyrjeve.

Projekti është hartuar nga DRKK Korçë dhe parashikon edhe restaurimin e murit rrethues me muraturë guri, me elementë të kangjellave metalike, si edhe sistemim të oborrit me pllaka guri, pastrim i monumentit dhe trajtimi i sipërfaqeve gjelbëruese.

Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë, sot Muzeu Kombëtar i Arsimit, është monument i kategorisë së Parë i shpallur në vitin 1973. Kjo ndërtesë ishte shtëpia ku banonte patrioti korçar Diamanti Terpo, i cili e dhuroi banesën për shkollën shqipe, e hapur më 7 mars 1887 nga ana e mësuesit patriot Pandeli Sotiri.

Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908, si dhe historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (Evetari, 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi.