Korçë, arrestohet efektivi i policisë që ndihmonte emigrantët e paligjshëm, ja shuma që i kërkoi

49

Një efektiv i policisë në komisariatin Nr.4 në Tiranë, është arrestuar nga kolegët e tij për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit të klandestinëve.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me policinë e Korçës ka arrestuar në flagrancë një punonjës policie për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.

Mbrëmjen e djeshme, 18 gusht, rreth orës 23:40 u arrestua në flagrancë G.H., me detyrë punonjës policie specialist i zonës në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë.

24 vjeçari akuzohet për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Efektivi duke udhëtuar me automjetin e tij, është ndaluar nga shërbimet e komisariatit të policisë Pogradec në dalje të qytetit.

Nga kontrolli ka rezultuar se me automjetin e tij po transportonte dy emigrantë sirianë, të cilët i ka marrë në dalje të qytetit të Bilishtit për t’i dërguar drejt Tiranës kundrejt shpërblimit prej 70 eurosh.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti, karta e identitetit, patenta, pistoleta TT, 450 euro, 10 mijë lekë, 3 telefona celularë.