Ballina KULTURË Korça, qyteti ku festohet me art e kulturë

Korça, qyteti ku festohet me art e kulturë

Festat e fundvitit e gjejnë Korçën me një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore dhe artistike.

I cilësuar “Qyteti i festave”, Korça e plotëson më së miri kornizën e një qyteti ku festohet me art e kulturë.

Bashkia e Korçës ka publikuar kalendarin e aktiviteteve artistike përgjatë muajit dhjetor, ku vlen për t’u theksuar Korça Open Air, si dhe Panairi i Fundvitit.
Në 13,14 dhe 15 dhjetor, në Moravë, do të zhvillohet finalja e kupës së botës 2018 me fluturime të lira nga pilotë të Aeronautikës Shqiptare dhe nga vende të ndryshme të botës. Për gjithë të apasionuarit pas sporteve në natyrë, do të zhvillohen fluturime dyshe me ndihmën e profesionistëve.

Në përmbyllje të aktivitetit do të realizohet Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve për fituesit e aktivitetit “Korça Open Air 2018”.

Po ashtu, në 30 dhjetor, Babagjyshi i vitit të ri me karrocë dhe shumë babagjyshë të tjerë të vegjël bëjnë paradën tradicionale në bulevardet kryesore të qytetit, që finalizohet në sheshin para Katedrales “Ringjallja e Krishtit”. Dhurata, muzikë, argëtim dhe surpriza do të ketë për fëmijët në prag të ndërrimit të viteve.

Nën sloganin “Festojmë edhe në dimër!”, dhe nën dekorin e mrekullueshëm që vesh qytetin në muajin dhjetor, Korça organizon po ashtu edhe Panairin e Fundvitit, të vetmin në Shqipëri.

Atmosferës festive, i shtohen shtëpitë e drurit, lodrat, ëmbëlsirat, pijet tradicionale (vera e nxehtë), mollët e pjekura, gështenjat, muzika në shesh, ekspozita të hapura e të tjera. Në qendër të qytetit, shtëpia e babagjyshit mirëpret të gjithë fëmijët ta vizitojnë e të bëjnë foto me babagjyshin. Pista e Patinazhit është një tjetër mënyrë argëtimi për të gjithë ata që zgjedhin t’i festojnë në Korçë festat e fundvitit.